L A P SH   Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri" në Zvicër

 A L E V     Albanischer Lehrer und Elternverband "Naim Frashëri" in der Schweiz

 L E P A     Ligue des Enseignants et des Parents Albanais "Naim Frashëri" en Suisse

 L I G A     Lega degli Insegnanti e di e Genitori Albanesi "Naim Frashëri" in Svizzera


.................................................................................................................................................................................................................................

LAPSH - Zvicër © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara - info@lapsh.ch - Web Design L. Hasi


Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë Plani mësimor kornizë

Intervista

me Profesor

Dr. Dr. Basil Schader



KONTRIBUTI TRIDHJETË VJEÇAR I MËSUESES NEXHMIJE MEHMETAJ NË MËSIMDHËNIE TË GJUHËS AMTARE





















NË PRAG TË PËRFUNDIMIT TË VITIT SHKOLLOR TË MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE

Ditën e shtunë, data 12 qershor, ora 15:00, në Delemont, në prag të përfundimit të vitit shkollor të mësimit plotësues të gjuhës shqipe u mbajt mbledhja e prindërve nën drejtimin e z. Naser Ramabaja, kryetar, LAPSH në Jura.

Nën kujdesin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Jura viti shkollor 2020-2021 është i 28 vit i mësimdhënies së gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, nga mësuesja Nexhmije Mehmetaj. Çaste solemne dhe mallëngjyese në përfundim të mësimdhënies.

Rreth 80 fëmijë duke ligjëruar në gjuhën e bukur të atdheut tonë të dashur. Fëmijë që kanë lindur në mërgim dhe janë çdo ditë nën ndikimin e kulturës dhe gjuhës së vendit ku prindërit e tyre kanë mërguar.

Deri më tani, forma më e suksesshme e ruajtjes dhe zhvillimit dhe e afirmimit të gjuhës e kulturës së origjinës është shkolla plotësuese në gjuhën amtare.

Këta nxënës çdo të mërkurë, apo ditëve tjera pas mësimit të përditshëm, në vend të pushimit zgjodhën të vijnë në shkollë e të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë gjuhën shqipe, historinë dhe gjeografinë e vendit tonë si një domosdoshmëri për rrënjët e identitetit kombëtar dhe dygjuhësinë.

Pjesa tjetër e nxënëseve nuk kanë vijuar mësimin shqip për arsye të ndryshme, ku më kryesorja është moskujdesi i prindërve.

Në mes emocionesh Nexhmije Mehmetaj midis të tjerave tha: “Afërsisht pas tre dekadash në Mësimin shqip unë ndihem e privilegjuar qe punova në këtë institucion kaq të respektuar. Ky kuadër më dha mundësinë e vetme në Zvicër të ushtroj profesionin tim dhe të ndihmoj fëmijët për të krijuar një identitet dy kulturor e dy gjuhësor. Andaj dua të them se për mua ka qenë një nder, nëse kam ndihmuar sado pak në këtë përpjekje.  Ky është viti i fundit për mua në mësimdhënien shqipe, unë dal në pension për të ndjekur pasione të tjera në jetën time. Nuk e mohoj që me këtë rast gëzimi dhe dhimbja janë bërë njësh në shpirtin tim.”

Naser Ramabaja, në emër të LAPSH-ës e përgëzoi mësuesen e palodhur Nexhmije Mehmetaj për rezultatet duke e vlerësuar me Mirënjohje me këtë përmbajtje: “Për veprimtarinë në Shkollën Shqipe prof. Nexhmije Mehmetaj, kontribuoi më se 30 vite gjeneratave, në cilësinë e profesoreshës dhe themelueses së Shkollës Shqipe në kantonin Jura të Zvicrës. Me angazhimin e saj në lëmin arsimor, pedagogjik të gjuhës amtare shqipe, me sukses arriti në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave të interesit nacional shqiptar, konkretisht në aspektin gjuhësor, kulturor, historik e gjeografik të origjinës së fëmijëve tanë të lindur dhe rritur larg atdheut”.

Duke e marrë Mirënjohjen Nexhmije Mehmetaj vuri në dukje se ” Komuniteti shqiptar u është mirënjohës autoriteteve zvicerane të kantonit Jura për mundësinë që na dhanë që mësimin e gjuhës amtare ta mbajmë në shkollë, duke na afruar klasat falas.” “Unë i falënderoj të gjithë prindërit, nënvizoi Nexhmije Mehmetaj,  “që vlerësuan shkollimin shqip dhe u përpoqën për fëmijët e tyre për të përvetësuar gjuhën amtare, për të shkruar dhe lexuar shqip. Gjatë kësaj periudhe kam përjetuar shumë ngjarje të mira, por, nuk e mohoj shqetësimin që më ka prekur në zemër, kur prindërit shqiptarë pa ndonjë arsye nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe. Jam e kënaqur që për vitin e ri shkollor 2021-2022, kemi krijuar mundësinë për të vazhduar mësimi plotësues shqip, duke bartur kompetencat tek mësuesi i ardhshëm z. Naser Ramabaja, të cilit i urojmë punë të mbarë dhe suksese në rrugën e shkollës shqipe. Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim. Prej vitesh unë dhe arsimtarët tjerë shqiptarë jashtë atdheut u munduam që errësirën për mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e mërgimtarëve nga mosinteresimi i shtetit tonë, ta shpërndajmë vetë.

 Sot jemi të zhgënjyer nga mos interesimi i shtetit të Kosovës, që puna jonë nuk vlerësohet dhe mësimi plotësues i gjuhës shqipe nuk institucionalizohet.”, përfundoi mësuesja veteraneNexhmije Mehmetaj.



_________________________________________________________


FËMIJËT NË FESTËN E PAVARËSISË


Veprimtari shkollore për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës



























Shkolla shqipe e mësimit plotësues në kantonin Jura e organizuar përmes Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashër” në Zvicër, ka një traditë 28 vjeçare. Aktualisht mësojnë 79 nxënës, 69 janë nga Kosova 6 nga Shqipëria (Kukësi dhe Tropoja), 1 nga Kosova Lindore, 3 shqiptaro - zviceran. Gëzimin dhe kënaqësinë që kanë këta nxënës e nxënëse, dëshirojmë që ta kenë edhe moshatarët e tyre në çdo cep të Zvicrës, duke mësuar krahas gjuhës frënge që mësojnë në shkollën vendase edhe gjuhën e ëmbël shqipe, që nëpërmjet saj të kenë mundësi të komunikojnë me prindërit në familje dhe të afërmit tjerë në atdhe, që me një nivel të duhur me potencialin e dygjuhësisë, t’i kenë rrugët e hapura për të ndërtuar të ardhmen këtu ku jetojnë apo edhe në atdhe.

Ashtu si edhe në kantonet të tjera ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe, si Gjenevë, Cyrih, Bernë, Basel, Vaud, Valis, Thurgau, Friburg, Neoshatel, etj. edhe në Jura organizimi i festave kombëtare është pjesë e shkollës shqipe.

Në programin e nxënëseve plot dije e argëtim bartet dashuria për gjuhën e të parëve dhe kulturën shqiptare.

Ketë vit shkollor në kushte të veçanta të pandemisë veprimtaritë tona nuk kemi mundur të paraqesim përpara komunitetit. Ato u përpoqëm të i realizojmë në klasë duke krijuar atmosferë festive.

Të premten, më 19 shkurt, në Delemont dy orët mësimore ia kushtuam 13- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ishte një ditë e veçantë dhe akoma më e gëzuar, festuam së bashku në ambientin shkollor festën e Pavarësisë, me këngë, recitime, lexime historike, konkursi i vizatimit etj.

Fillimisht nxënësit kënduan këngën “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”. Nxënësja Rinesa Keqmezi lexoi para nxënësve tekstin “Shqiptarët histori e një qëndrese” dhe e komentuam me të tjerët.

Theksi u vu në: Kontributi i dr Ibrahim Rugovës dhe i Ushtrisë çlirimtare dhe mbështetja që bëri NATO për çlirimin e Kosovës. Adem Jashari komandanti legjendar. Populli i Kosovës sakrifikoi shumë dhe kjo ditë e lumtur më në fund erdhi momenti historik më 17 Shkurt 2008 pavarësia e Kosovës.  Kosova sot, përpjekjet për integrimin në Bashkimin Evropian etj.

Nxënësi Gentian Ramabaja lexoi poezinë “Zgjohu, Kosovë” të poetit Ali Podrimja. Nga punimet e nxënësve zgjodhëm ato më të mirat.

Ne u jemi mirënjohës vendeve tjera të fuqive të mëdha të botës që njohën vendin tonë të ri e të pavarur.

Nxënësit dukeshin të buzqeshur dhe të kënaqur. Madje ndjeheshin të veçantë. Atdhetarët e vegjël, nuk ndiheshin të lodhur edhe pse janë të ngarkuar edhe me mësimet në shkollën zvicerane.

Nuk mund të lë pa përmendur dhe festimet tjera që shkolla realizon me rastin e festave të rëndësishme. Janë momente që sjellin harmoninë shqiptare, të shuajnë mallin për atdheun....



Delemont, 20.02. 2021                     

Nexhmije Mehmetaj-

mësuese në Jura


______________________________________________________________________________________


URIME NË DITËN E 28 NËNTORIT- FESTA E FLAMURIT



Shkolla si vatër e mësimit ka detyrë parësore edukimin e nxënësve me ndenjën kombëtare. Sa luftë edhe sakrifica janë dashur nga populli ynë që të fitonte lirinë edhe pavarësinë. Sa e rëndësishme është që fëmijët tanë të dinë historinë e Shqipërisë. Të gjithë fëmijët tanë duhet të njohin që populli shqiptar ka luftuar po me aq heroizëm dhe vetëmohim sa edhe popujt tjerë. Gjithashtu populli shqiptar ka ruajtur dhe ruan vlera të vyera në gjirin e tij siç janë figura e ndritur e Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza që na bëjnë krenarë me emrat dhe veprat e tyre.


E premtja e 27. 11. 2020 ishte një ditë akoma më e gëzuar për nxënësit Shkollës shqipe në Jura, zgjodhëm mjediset e shkollës, klasën e bukur për të festuar tok, 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit, festën e përbashkët të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Në të nuk kishte pjesëmarrje të prindërve, për vetëm nxënësit e një klase.


  Flamuri me fushën e kuqe e shqiponjën dy krenare në mes është simboli më i shenjtë për çdo shqiptar dhe shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Pjesë e pandarë e flamurit është Himni i Tij, shkruar me aq ndjenjë e atdhetarizëm nga poeti i madh i Rilindjes sonë Kombëtare Asdreni. Himni i Flamurit merr vlera emocionale veçanërisht në ditët e shënuara si Festa e Flamuri.


Nxënësit dhe nxënëset e grupit të parë si më të rritur të gjithë kënduan së bashku me dashuri e respekt kënduan Himnin e Flamurit tonë Kombëtar.

Vallja e shkronjave na shoqëroi në një atmosferë shumë të ngrohtë.

Elona e hapi programin duke lexuar hartimin për kohën e Motit të madh në historinë tonë kombëtare, kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu më 28 Nëntor 1443 ngrit flamurin e lirisë mbi kështjellën e Krujës legjendare dhe shpalli pavarësinë e Arbërisë - Shqipërisë.


Pason Genti me një përshkrim për 28 Nëntorin 1912 kur Shqipëria u shpall shtet i lirë e pavarur.

Nxënësit e grupit të mesëm lexuan sipas roleve pjesë nga mësimi “Viti kuq e zi” të shkrimtarit Agim Shehu.

































“Ismail Qemali: (I menduar ledhaton flamurin). Ta vëmë në Kabinet, mbi ballin e Skënderbeut. Ka gati 500 vjet që Ai e pret.

Luigj Gurakuqi: Zotëri Ismail, kurrë s’ju kam parë kaq të gëzuar.

Ismail Qemali:Gëzimi i Flamurit , Luigj! Më në fund e fituam. Ëndërra jonë! Liria dhe nderi ynë!


Isa Boletini: ( ledhaton flamurin) Sa të kena andërru! Sa shumë vjet kemi luftu për flamur. Të lumtë dora, Ismail Qemal!

Marigoja: ( e ndrojtur) Mirëdita!

Ismail Qemali: Marigo, flamurtarja ime!

Marigoja: Jemi në shtëpi të Vlorinës. Vajzat po qëndisin flamurë.

Luigj Gurakuqi: Si ju shkon mësimi i shqipes?

Marigoja:Duam edhe abetare të tjera për shoqet që vijnë.

Luigj Gurakuqi: Të paçim për jetë o shkollë shqipe!

Ismail Qemali: ( i qeshur) Shqiptarët kurrë nuk u ndanë nga gjuha shqipe. Kjo gjuhë ka ruajtur emrin Shqipëri dhe shqiptar.

Luigj Gurakuqi: Shqiptarët janë të gëzuar se sot janë të lirë!

Isa Buletini:Kur e shoh se flamuri po valëvitet, më duket se u ngjallë Skënderbeu.

Ismail Qemali: Shqipëria u shpall shtet i lirë.


 Marigoja: ( Jep një letër Ismail Qemalit ) Ja disa telegrame të atdhetarëve nga: Amerika, Egjipti, Londra, Zvicra, Kosova, Çamëria.

Ismail Qemali: ( hap letrën lexon) Ismal Qemali, ju përgëzoj për veprën tuaj madhështore. Të gjithë shqiptarët janë të gëzuar për rilindjen e mëmëdheut tonë të lashtë. Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptarë i lirë e i bashkuar! Rroftë 28 nëntori!

Isa Buletini: ( Hynë i shqetësuar ) Ku është Ismail Qemali? More vesh ç’bëri Londra.

Ismail Qemali: (Ngre sytë) Këtë e mora vesh. Po na copëtojnë vendin.

Isa Buletini: Kosova dhe Çamëria janë në ditë të zezë. Diçka duhet bërë.

Ismail Qemali: Atëherë më duhet të shkoj në Londër, për kombin tim. (Pas pak) Do të nisem bashkë me ty!”


Zëri i gëzueshëm i nxënësve të vegjël oshtinte me këngën “ E dua Shqipërinë”! Ndërsa në fund zgjodhëm vizatimin e “Flamurit” më të mirë të nxënëses së parë  Eliza Lekaj.


Nxënësit dhe nxënëset plot entuziazëm, recituan, kënduan e treguan sa mirë është kur bashkohesh nën tingujt e gjuhës amtare.

Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme që u ndodhëm në ketë mjedis mësimor të bashkëpunimit të frytshëm, plot dije, sinqeritet dhe dashuri për gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare.

Fëmijët tanë edhe pse të lindur larg atdheut nëpërmjet veprimtarive të larmishme atdhetare, ata njohin dhe vlerësojnë kulturën e tyre kombëtare.


Delemont, 28. 11. 2020                                                  

Nexhmije Mehmetaj




______________________________________________________________________________________




...FËMIJËT NË FESTËN E PAVARËSISË


Të dielën më 17 shkurt Shkolla shqipe së bashku me shoqatën Bashkësia shqiptare në Jura- Zvicër, organizoi manifestim me rastin e 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ishte një ditë e veçantë dhe akoma më e gëzuar. Në mes të një entuziazmi të madh, organizuam një pasdite festive me këngë, valle dhe recitime me nxënës të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Zgjodhëm sallën e bukur në fshatin Courfavair afër qytetit Delemont për të festuar tok. Programi filloi në orën 14.00.

Data 17 Shkurt 2008, tanimë ka hyrë në historinë shqiptare, veçanërisht të Kosovës si një datë e kthesës së madhe, datë e sendërtimit të aspiratave shekullore për liri dhe pavarësi.

Kjo ditë e pritur me shekuj, grisi historinë e përgjakur, një shekullore të popullit shqiptar në përpjekje për të u çliruar nga një armik barbar. Ne jemi të lumtur se Republika e Kosovës me gjithë vështirësitë e shtetit më të ri në Evropë është e lirë dhe demokratike. Ne e duam atdheun tonë i cili çdo ditë po ndryshon, zbukurohet dhe lartësohet.

Andaj sot janë mbledhur e bërë bashkë prindër, nxënës, bashkatdhetarë, miq e të ftuar në festën e Lirisë. Të Pavarësisë. Për të festuar me ne kishte ardhur nga Cyrihu Konsulli i Republikës së Kosovës në Zvicër Zoti Visar Rrecaj. Festën e nderuan me pranin e tyre edhe dy deputet të Kantonit Jura, Raoul Jaeggi dhe Gérald Crétin.

Pavarësia e Republikës së Kosovës është një ngjarje e madhe historike që në themelet e saj është derdhur gjaku i qindra e mijërave burrave e grave shqiptarë që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, që zëri i tyre i lirisë të mos meket kurrë dhe flaka e lirisë të mos shuhet kurrë në tokën e Kosovës së lashtë Dardane!

Kur festojmë këtë datë, ne nderojmë me respektin më të madh Presidentin e parë të Republikës së Kosovës të ndjerin Dr Ibrahim Rugovën, një ndër personalitetet më të shquar të historisë sonë të re kombëtare.

Ne nderojmë krye heroin e kombit shqiptar, Adem Jasharin që për lirinë e dinjitetin e shqiptarëve shndërrojë Prekazin në një kështjellë të pavdekshme, u flijua me gjithë familjarët e tij, fëmijët, gratë e burrat, duke  qëndruar me dinjitet para një armiku barbar.

Kur festojmë këtë ngjarje historike, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe kontributin e diasporës shqiptare në Zvicër e gjetiu, që s’kanë pushuar asnjëherë veprimtarinë për liri të atdheut të vetë të robëruar, u organizua dhe diti ta ndërkombëtarizoi çështjen e lirisë së Kosovës dhe të gjej përkrahje në shtetin demokratik zviceran.

Në ketë ditë shprehim një mirënjohje të thellë për zonjën Michel Calmy-Rey Ministrja e jashtme zvicerane e atëhershme, që shpalli botërisht mendimin e saj zviceran që Kosova duhet të jetë e lirë.

Duke dale nga emocionet e referateve të të mëdhenjve, si pjese e këtij programi të integruar mësimor dhe edukativ, të rrëmben kori i shkollës me interpretimet e bukura të këngëve mëmëdhetarë, për liri e pavarësi. Në skenë ravijëzojnë portrete nxënësish të përskuqur nga emocionet e interpretimeve. Salla e përplot duartroket dhe ritmin me këngët e vallet e këtyre fëmijëve-artiste.

Nder sfonde përzjarrtin refrenet e poezive festive “Me gëzimet pa kufi,
Me Flamurin kuq e zi, Jam Kosova  e trimërisë. Lulja e bukur e Shqipërisë! “ “Sot me diellin bashkë ngrihem në agim po presin rrugët e atdheut tim, zemra jote e vogël e ëmbël për mua O Kosova ime o sa fortë të dua...” Gëzuar pavarësia !”, ” Pas flamurit kuqezi shkojmë e vijmë me  “, “Kur ka ra kushtrim në Kosovë. Radhojnë si në ekran pjesët interpretuese, të realizuara aq përzemërsisht nga nxënëset e ciklit të lartë: Erona Ramabaja, Alba Berisha dhe Elona Ramadani. Pas tyre nxënëset e klasave të ulëta me recitime: Eliesa Ramabaja, Ema Gashi. Gentian Ramabaja, Ardi Mahmuti, Lorik Ferati, Oltian Xhaqku. Emocione. Duartrokitje. Ju lumtë ! Ashtu, qofshi ! Mes këtyre nxënësve të shkollës shqipe, mësueses së tyre dhe prindërve sikur shohim Naimin e Fishten, Ndre Mjeden e Vaso Pashën, Nolin dhe motrat Qiriazi, tërë atdhetaret qe sollën Shqiptarinë deri sot.

Fëmijët falënderuan prindërit për mirëseardhjen në këtë ditë të bukur, këtë festë të paharruar për ta. Ndërsa prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit u falën duartrokitje të pakursyera.


Delemont, 19.02. 2019                                    

Nexhmije Mehmetaj



______________________________________________________________________________________




FESTIMI I 28 NËNTORIT NË KANTONIN JURA- ZVICËR


...NË SYTË DHE NË ZEMRAT E FËMIJËVE SHQIPTARË



Në atmosferën  entuziaste të nxënësve, prindërve, miqve dhe të ftuarave me datën 1 dhjetor ’18 në fshatin Basscourt në Jura, Shkolla shqipe në bashkëpunim me Klubin FC “Diaspora” dhe me shoqatën “Bashkësia shqiptare” kremtoi 28 Nëntorin- Dita e Flamurit.


Koha e Motit të madh në historinë tonë kombëtare fillon më 28 Nëntor të vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Krujë ngriti flamurin e Lirisë dhe shpalli pavarësinë e Arbërisë – Shqipërisë, prej pushtuesit turk. Për gati pesëqind vjet flamuri ynë që i përgjakur, ai valëvitej vështirë në qiellin e trazuar të Arbërisë.


Ai gjak ende i pa tharë ka skalitur çdo zemër shqiptare fjalët Komb dhe Atdhe që nuk shuhet kurrë për liri. I kuq flamuri ynë na thërret na tubon na kujton se ne jem bijtë e tij e të tokës shqiptare që mos ta harrojmë kurrë, por të bashkuar rreth flamurit kuqezi të përpiqemi për të ruajtur identitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën tonë të lashtë shqiptare.

28 Nëntor 1912 shpallja e pavarësisë së Shqipërisë shënon ngjarjen më të rëndësishme të historisë së  popullit shqiptar. Ajo ishte fryt e luftës  500 vjeçare e popullit shqiptar kundër sundimit osman-turk. Kjo datë nuk është thjeshtë një datë historike por, çdo herë na kujton formimin e shtetit shqiptar dhe vlerat e mëdha të kombit tonë.                                                                                            

Programi festiv filloi në orën 19.00. Kryetari i Klubit “Disapora” Nazmi Mehmetaj në fjalën e tij hyrëse ndër të tjera tha:


“Ne jemi sot këtu, në këtë aktivitet, jo thjesht për të festuar 4 vjetorin e themelimit të Klubit “Diaspora” që përkon me festën e 28 Nëntorit por edhe për të përcjellë një mesazh madhështor: Të kujdesemi vazhdimisht për pemën e shenjtë të lirisë, rrënjët e së cilës paraardhësit tanë, aq fisnikërisht e ujitën me gjakun e tyre”.


- Përshëndetja ime sot shkon për ju bashkatdhetarë të çdo brezi qofshi, tha ndër të tjera  Naser Ramabaja, kryetar, LAPSH në Jura - sepse të gjithë bashkë festojmë kujtimet, arritjet e sukseset tona ndër vite. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për mësuesen e palodhur dhe të përkushtuar Nexhmije Mehmetaj gjithashtu këta nxënës të mrekullueshëm të cilët krahas mësimit të frëngjishtes e vijojnë edhe shkollën shqipe.

 

Kostumet, dekori i skenës sillnin një pjesë të jetës shqiptare dhe psikologjinë e kohës që po ndryshon drejt formimit të një mërgate moderne në një vend shumë-kulturorë siç është Zvicra.

Nxënëset Erona Ramabaja dhe Elona Ramadani prezantojnë me gëzimin e zemrës së tyre fëmijërore programin artistik të mësuar dhe të përgatitur me rastin e kësaj dite të shënuar për ta. Më pas nxënësit të lumtur kënduan Himnin e Flamurit. Eliesa  nxënësja e klasës së dytë e veshur me ngjyrat karakteristike të festës kuq e zi dhe teksa reciton vjershën ... Më 28 Nëntor, në këmbë u ngrit Shqipëria ... mori shumë duartrokitje. Të dalluar qenë edhe nxënësit Teo Rexhepi me recitimin “Vajza dhe shqiponja” dhe Leona Lumeshi vjershën “28 Nëntor i dhe ngjyrë atdheut”. Dhe koncerti vijoi me fëmijët e nivelit të parë, vogëlushët dalin përpara prindërve me këngën” E dua Shqipërinë”! Nxënës të nivelit të mesëm kënduan “Kënga e Alfabetit” dhe “Pas flamurit kuqezi”. Në këtë përmasë u interpretuan jo vetëm këngët por dhe vallet e tyre.


Kjo atmosferë e hareshme vijoi me këngëtaren e ftuar Lumnije Ramadani, me këngëtarin Fazli Ramadani dhe me urimet më të përzemërta për të qenë ditë të tilla festive edhe në  vitet që vijnë.


Delemont, 03.12. 2018                                   

Nexhmije Mehmetaj



______________________________________________________________________________________



FESTË E MADHE NË DITËN E PAVARËSISË


Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri “ në Kantonin Jura – Zvicër në bashkëpunim me Shoqërinë Punonjëse Newbom organizoi një festë të madhe për ditën e Pavarësisë së Kosovës, të dielën më 12.02. 2017 në mjediset e sallës së ekspozitave, “Emile- Boéchat” 60 në Delemont.

Në të kishte pjesëmarrje të gjerë të nxënësve, prindërve si dhe të afërmeve e bashkatdhetarëve dhe miqve zviceranë që u mblodhën të festojmë së bashku.


Rruga e Kosovës drejtë pavarësisë ishte një rrugë përplot me vuajtje, dhimbje e sakrifica por në të njëjtën kohë ishte një rrugë përplot mburrje dhe krenari. Procesi shekullor drejt lirisë nga pushtuesit asnjëherë në asnjë çast nuk arriti të dobësoi shpirtin liridashës të shqiptarit. Rezistenca popullore gjeti përkrahjen në forma nga më të ndryshmet, nga pena e fjala, në besnikëri e solidaritet e deri në kryengritje të armatosur. Sot kujtojmë qëndresën e popullit tonë si sinonim i kësaj rruge drejtë lirisë. Kosova nuk do të harroj asnjëherë gjithë veprimtarët dhe patriotët falë angazhimit të së cilëve ajo sot ndërton të ardhmen e saj të ndritur. Populli i Kosovës përkulet para gjithë atyre të cilët kontribuuan për çështjen kombëtare, duke na e mundësuar ne dhe brezave që vijnë të jetojmë një jetë të dinjitetshme dhe njerëzore. Me respektin më të madh për gjithë veprimtarët e lirisë. Gëzuar festa e pavarësisë së Kosovës! Theksoi ndër të tjera Naser Ramabaj kryetar i LAPSH-it në Jura.

Sa luftë edhe përpjekje janë dashur nga populli ynë që të fitonte lirinë edhe pavarësinë. Andaj është e rëndësishme që fëmijët tanë përmes shkollës shqipe ta dinë historinë e Republikës së Kosovës. Mësimi i drejtë i historisë sonë do t’i ndihmojë ata të respektojnë veten dhe shoqërinë ku ata jetojnë.

Në këtë festë nxënësit kënduan këngë patriotike, nga Alba Berisha, Erona Ramabaj, Elona Ramadani, recituan: Adea Kuqi, Leona Lumeshi, Albion Berisha, u prezantuan materiale letrare, kushtuar Pavarësisë, si dhe një dramatizim i cili kishte si motiv ditën e shpalljes së kësaj Pavarësie, të gjitha këto të përgatitura me kujdes nga mësuesja Nexhmije Mehmetaj.

E veçanta e këtij evenimenti është karakteri i tij humanitar të gjitha fitimet janë dedikuar për ndërtimin e një shtëpie për një familje të varfër në Kosovë. Sponsor është z. Afrim Ramabaj një biznesmen i suksesshëm ( po ashtu ish nxënës  i shkollës shqipe).

Në fund pjesëmarrësit e shumtë bënin foto me njeri tjetrin, takoheshin me emocion dhe dashuri duke u larguar me mbresa nga më të mirat për këtë aktivitet madhështor në nderim të ditës së nëntë vjetorit të Pavarësisë.


Delemont, 22.02.2017                                   

Nexhmije Mehmetaj




______________________________________________________________________________________



SHKOLLA SHQIPE NË JURA KREMTON 28 NËNTORIN DITËN E FLAMURIT

Nexhmije Mehmetaj

















Ditën e diel, më 27.11.’16 në fshatin e bukur Glovelier në afërsi të kryeqytetit Delemont, Shkolla Shqipe në Kantonin Jura festoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Sapo ndodhesh në sallën festive mjedisi shumëngjyrësh të ka përfshirë në hijeshinë e tij. Ngjyrimi kuq e zi i flamujve të lirisë me shqiponjat gjithë bashkuara dhe flamuj kuq e bardhë me fisnikërinë zvicerane një mozaik i mrekullueshëm të dëshiron mirëseardhje në gjirin e saj.

Manifestimi filloi me Himnin kombëtar kënduar nga vet nxënësit e shkollës, i jepte skenës një pamje të veçantë e shumë madhështore.

Në atmosferën entuziaste të nxënësve, mësueses, prindërve, mërgimtarëve të moçëm, të rinj, ish nxënës të shkollës shqipe, të ftuar tjerë dhe miq zviceranë i përshëndeti kryetari i LAPSH-it në Jura, Naser Ramabaja.

Të ftuarit e nderit ishin Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë znj. Nazane Breca, dhe znj Fatmire Musliu, Ministre-këshilltare, u pritën me dashuri e respekt.

Padyshim i ftuar dhe i rëndësishëm  ishte edhe prania z. Marcel Ryser me bashkëshorten dhe fëmijët nga qendra e Shërbimit informativ publik, Republika dhe Kantoni Jura, një  personalitet zviceran që ngre ura bashkëpunimi mes zviceranëve dhe shqiptarëve.


- “Përshëndetja ime sot shkon për ju bashkatdhetarë të çdo brezi qofshi,- e hapi takimin Ambasadorja  Nazane Breca, - sepse të gjithë bashkë festojmë, Ditën e Flamurit – Ditën e Festës së Madhe Kombëtare të 28 Nëntorit, me kujtimet, sfidat historike të kombit shqiptar, arritjet e sukseset tona nder mote


-“Emocionohem në ketë përvjetor sepse jam në mesin e vëllezërve dhe motrave , admiroj integrimin tuaj që keni arritur në shoqërinë pritëse të Zvicrës...



“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ju bashkatdhetarë të palodhur e të përkushtuar, ndaj atdheut ndaj Kosovës dhe për të gjithë ju nxënës të mrekullueshëm, që edhe larg atdheut ruani gjuhën shqipe, që së bashku keni ngritur lartë ketë emër, këtë flamur... dhe me një porosi që tani e tutje as një fëmijë mos të mungojë nga mësimi shqip. Mësimi i gjuhës shqipe në shkollë i ndihmon fëmijët tuaj të flasin rrjedhshëm dhe është një ndihmë kundër asimilimit.” Salla e përplot duartroket për fjalën mbresëlënëse  të ambasadores.

Organizimi i festës ishte tepër madhështor edhe për sa i përket përformancës dhe veshjes së nxënësve – ku ngjyrat Kuq e Zi mbizotëronin gjithandej. Prezantuesja e programit qe nxënësja Altina Mahmuti.

Të gjithë nxënësit plot emocione e krenari atdhetare recituan poezi kushtuar Kombit tonë, Pavarësisë, Shqipërisë evropiane, gjuhës shqipe. Buqeta e bukur e këngë e valle ku 22 nxënës ishin pjesëmarrës. Nxënësit më të dalluar të programit qenë: Erona Ramabaj, Elona Ramadani, Alba Berisha, Enea Ajeti, Klea Ajeti, Andi Rexhepi, Lorik Ferati, Leon Dobruna, Leona Lumeshi etj.


Unë mësuesja e tyre u ndjeva krenare me këta nxënës që dinë të tregojnë vlera.



______________________________________________________________________________________




























Gëzuar 8 vjetori i Pavarësisë së Kosovës


Në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Jura - Zvicër


Shkolla shqipe e mësimit plotësues për nder të festë së “17 Shkurt 2008 “ realizoi në datën 20 shkurt 2016 kurorëzimin e aktiviteteve kushtuar 8 –vjetorit të Pavarësisë së Kosovës! Kjo ditë është konceptuar si  ditë e integruar edukative mësimore në shkollë. Nxënësit e tri cikleve ishin në një garë të ethshme se kush do të zbukuronte, pikturonte, shkruante një ese apo recitonte, këndonte apo vallëzonte.

Mesazhet e tyre ishin mjaft të qarta: Ne jemi sot këtu, në këtë veprimtari,  jo thjesht për të festuar, por për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm; Ta ushqejmë vazhdimisht poemën e shenjtë të lirisë, rrënjët e së cilës paraardhësit tanë, aq fisnikërisht i ujitën me gjakun e tyre!!!

Në këtë përmasë ishin zgjedhur dhe interpretuan jo vetëm këngët dhe vallet e tyre por edhe pjesë letrare, të interpretuara me mjaftë ndjenjë. Shpirti i mërgimtarëve të vegjël nuk mund të kuptohet pa krijimet origjinale të vetë nxënësve, të vizatimeve dhe eseve historike, të vlerësuara edhe me çmime të ndryshme, ku argumentet e lashtësisë së kombit tonë gërshetohen me subjektivitetin dhe krenarinë e ligjshme të nxënësve për emrin shqiptar që ata mbajnë dhe detyrimet që ndjejnë ndaj atdheut të tyre.  

Eseja e nxënëses fituese të vendit të parë:


Kosova  ime e shtrenjta !


Sot u mbushën 8 vjet që  Ti je e lirë. Liria është dielli që pa u ndal ngroh zemrat e njerëzve dhe dalëngadalë, ndriçon të kaluarën e errët.

Sot jam Adem Demaçi, sot jam Ibrahim Rugova dhe jam Adem Jashari  Jam krenari dhe pushtet. Nuk kam etje për lirinë, por dëshirë për studim, për ta studiuar botën e pafund.

Sot kam nevojë për lirinë e merituar që quhet dije, kam nevojë për bashkëkohësi, kam nevojë për prijës. Sot unë jam bashkëkohësia, jam e ardhmja. Vizioni im nuk është vetëm kozmopolit, por brenda tij jam kuq e zi.. Unë jam shqiptari i Kosovës, jam Dardani dhe Iliri,  jam zemra e hapur e Shqipërisë.

Kosovë 8- vjet Pavarësi! Një numër i jashtëzakonshëm.

 Por kjo festë është me tepër se Nderim është Projekt. Fillon një kohë  e re  nis fitorja e  Ëndrrës sonë të Madhe.


Vjosa Ferati, kl. 9, Porrentruy

Në konkursin e zhvilluar në lëndën e vizatimit nxënësja që mori vendin e parë Njomëza Ramabaja kl 9.






     





  



       


Kostumet, dekori i skenës, sillnin një pjesë të jetës shqiptare.

Ndihem krenare për këta nxënës të shkëlqyeshëm, mësuesja Nexhmije Mehmetaj


Delemont, 27.2.  2016                                            

Nexhmije Mehmetaj,

mësuese, LAPSH në Jura

KANTONI JURA